“Jo alkool, mos festo, mbaj distancë”. Zbulohen masat e rrepta për Lojërat Olimpike

Pak ditë më parë, Komiteti Organizativ Tokyo 2020 dha lajmin e mirë se deri në 10 mijë tifozë vendas do të lejohen të jenë të pranishëm në impiantet ku do të garohet në eventet e Olimpiadës.

Kur janë shitur afro 3.7 milionë bileta në total, sot për tifozët që do të kenë fatin të jenë në stadiume u bënë të ditur edhe masat që duhet të respektojnë që në fakt nuk do t’u pëlqejnë aspak.

“Atmosfera festive do të duhet të eliminohet. Spektatorët e garave nuk duhet të konsumojnë alkool, nuk do të ketë përqafime, as brohoritje dhe as nuk do të lejohen të nënshkruhen autografë”, tha e shqetësuar për të ofruar Lojërat me siguri të plotë, presidentja e komitetit organizativ, Seiko Hashimoto sot në Tokyo.

Hashimoto paralajmëroi tifozët që do të shkojnë në Olimpiadë se nuk duhet të presin të njëjtën atmosferë që po përjetojnë tifozët e futbollit në Kampionatin Europian. Ajo tha se fatkeqësisht, autoritetet nuk do të mund të jenë në gjendje të lejojnë të njëjtën gjë në Tokyo nga frika e infektimeve.

Disa masa të tjera lidhen edhe me hyrjen në impiante ku, kushdo që regjistron një temperaturë të trupit mbi 37.5 gradë gjatë dy kontrolleve të ndara do t’u refuzohet hyrja, ashtu si kushdo që kollitet ose nuk mban maskë.