Prishtina mposht 2-0 Folgore, arrin finalen e raundit paraeliminator të Championsit

Prishtina bën detyrën dhe arrin finalen e raundit paraeliminator të Champions League që është edhe porta për të arritur në turin e parë eliminator bashkë me skuadrat e tjera të Europës.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, përballë një kundërshtari të lehtë në letër, si modestët e Folgores nga San Marino, kampionët e Kosovës dominuan ndeshjen teksa nuk arritën të shënonin dot në pjesën e parë pavarësisht rasteve të krijuara.

Menjëherë në fraksionin e dytë të ndeshjes, Prishtina gjeti avantazhin me Endrit Krasniqin në minutën e 50’. Avantazhi u dha zemër por edhe qetësi skuadrës së drejtuar nga Zekirija Ramadani që insistojnë për ta mbyllur sa më shpejt ndeshjen dhe vetëm në 91’ me Mendurim Hotin gjejnë edhe golin e dytë.

Një sukses i merituar për Prishtinën që shikon finalen por për fat do të ketë një rival të lehtë si Inter d’Escalades. Ekipi nga Andorra bëri surprizën në ndeshjen tjetër të luajtur në Durrës teksa mposhtën 1-0 favoritët e HB Torshawn dhe tani për të avancuar më tej do të përballet me Prishtinën në finalen e këtij raundi.