Zyrtare, Milot Rashica kalon në Premier League, firmos me Norwich
Tani mund të themi që Milot Rashica ka bërë hapin e madh të karrierës. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës do të luajë në Premier League duke nisur nga sezoni i ardhshëm dhe ka firmosur për 4 sezone me Norwich.
24-vjeçari luajti sezonin e fundit me Werder Bremen ku ekipi i tij ra një kategori më poshtë në Bundesliga II dhe natyrisht që nuk mund të qëndronte aty pasi ofertat nuk i mungonin.
Me një lëvizje surprizë, Rashica u zyrtarizua sot te klubi që siguroi ngjitjen në Premier League dhe ky do të jetë edhe sezoni ku lojtari duhet të tregojë “brumin” e tij.
Sigurisht që vet lojtari u shpreh shumë I lumtur për transferimin, tha se mezi pret të nisë aventurën dhe të luajë përpara tifozëve me objektivin të ndihmuar Norwich.
Siç mësohet, kalimi i Rashicës te Norwich do të mbushë arkën e Werder Bremen me 11 mln Euro ndërsa lojtari ka firmosur për 4 sezonet e ardhshme.
