Zyrtarët lokalë në Godolesh për Festën e Qershive, përshkojnë rrugën e shtruar nga vetë banorët

Në Godolesh të Elbasanit u kremtua Festa e Qershive. Kjo festë tanimë është bërë traditë disavjeçare si forma e vetme për të promovuar prodhimet e zonës.

Fermerët shprehen se mungesa e investimeve dhe përkrahjes nga shteti penalizon punën e tyre dhe shpesh herë mungesa e tregut bëhet shkak që prodhimi të mbetet stok.

Ndaj ishin vetë banorët që këtë vit vendosën të ndërhyjnë, duke ftuar bizneset e zonës të bashkohen.

Përfaqësuesit lokalë ecën mbi rrugën që e kanë shtruar vetë banorët, ndërsa u treguan të rezervuar për këtë çështje.

"Ka 7 vite që rruga është nga natyra, çdo gjë është lënë në vesh të shurdhër. Populli nuk kërkon gjë tjetër, ujë, rrugë dhe drita. Rruga dhe dritat nuk njohin parti."

Fshati Godolesh njihet për prodhimin e qershive, ndërsa fermerët shpesh herë e kanë ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve.