Bërxulla si në mesjetë…/ 2000 banorë pa ujë, drita e rrugë: Zoti e bëftë mirë, me këta pushtetarë na mori lumi!
Banorët në zonën e Bërxullës i bëjnë thirrje qeverisë që të kujtohet për ta pasi po jetojnë si në mesjetë, me rrugë të amortizuara dhe problem në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Tensioni i ulët edhe pse furnizohen me orare, sipas tyre nuk mjafton për vendosjen e pajisjeve në punë, ndërkohë që për ujin e vetmja zgjidhje janë puset e hapura privatisht.
Rreth 2 mijë banorë në fshatin Bërxullë, shumë pranë kryeqytetit, jetojnë si në mesjetë.
Infrastruktura rrugore është në kushte të mjerueshme, në dimër përballen me baltë e ndërsa në verë me pluhur.
"Paguajmë taksa për ndriçim, nuk kemi asnjë shërbim fare."
"Nuk e kanë shtruar rrugën, se kanë çarë kokën fare."
Banorët thonë se gjatë fushatës politikanët u kanë bërë premtime e më pas as që janë dukur në zonë.
"Sa herë që ka zgjedhje thonë do ta shtrojmë, sjellin një rrugë çakull dhe mbaron puna."
"Sa marrin votën zhduken."
Bërxulla prej vitesh vuan dhe mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa banorët si zgjidhje kanë gjetur puset.
"Për ujë kemi hapur puset, shyqyr që ka ujë toka."
"Ka 23 vjet që nuk kam hapur rubinet."
Një tjetër shqetësim është dhe mungesa e energjisë elektrike, ku edhe pse me orar, tensioni është i pamjaftueshëm për vendosjen në punë të elektroshtëpiakeve.
"Dritat i paguajmë, pse të mos na i japin dritat. Tensioni është i ulët, nuk furnizon asgjë. Prishen me lavatriçe, me dush."
"Drita jo, frigoriferi ka shkrirë i gjithi."
"Na i kanë fikur që dje pasdite, vapë është, mund të ketë njerëz që janë të sëmurë dhe duan oksigjen, fëmijë të vegjël. Vetëm Zoti e bëftë mirë se të jetë për këta pushtetarë na mori lumi."
Thirrja e tyre shkon për ndërhyrje pasi kërkesat kanë të bëjnë me nevojat elementare të jetës.
"S'ke ujë, s'ke drita, s'ke rrugë…, çfarë do të bësh? Vetëm me emigru, do të ikim se nuk kemi çfarë bëjmë."
"Të shtrojnë rrugën, të na japin ujë dhe drita."
Me të tilla vështirësi banorët e këtij fshati po jetojnë prej vitesh ndërsa mungesa e reagimit nga autoritetet duket se i ka bërë ta humbin shpresën për zgjidhje.


