Konferenca e parë ndërqeveritare/ Në Luksemburg diskutohen negociatat për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Në Luksemburg ka nisur sot mbledhja e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme të Bashkimit Europian.

Axhenda ka në plan të parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Deri tani Këshilli nuk ka gjetur dakordësi për procesin dhe mësohet se Bullgaria sërish ka rezerva kundrejt Maqedonisë, ndërkohë që prej kohësh shtetet e tjera anëtare, mes tyre Holanda dhe Franca, kanë shprehur qëndrime pozitive ndaj afrimit me dy vendet e Ballkanit.

Ministri gjerman për Europën, Mishael Rot, deklaroi para nisjes se një vonesë tjetër do të ishte strategjikisht e gabuar për BE-në.

"Sot do flasim përsëri për zgjerimin, dhe për besueshmërinë e Bashkimit Europian kundrejt Ballkanit perëndimor. Vitin e kaluar, pas diskutimeve të gjata, ne formalisht vendosëm që të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe kjo duhet të realizohet tani. Nuk e ndaj absolutisht mirëkuptimin që vendime të tilla të nevojshme të zbehen nga konfliktet dypalëshe, megjithëse edhe ato duam që t'i zgjidhim. Komisioni Europian dhe Qeveria Federale gjermane janë të mendimit se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë bërë pjesën e tyre të detyrimeve dhe duhet të jetë e qartë se Bashkimi Europian si i tërë, me të 27 shtetet përbërëse, duhet t'i dërgojë sinjal për premtimet e mbajtura. Shpresoj që sot do të marrim vendime të nevojshme. Duhet ta shohim më kujdes këtë rajon sepse po lamë vakuume, patjetër që do ketë të tjerët të cilët nuk i ndajnë vlerat tona, të cilët do të ndërfuten aty," tha Rot.