Draghi fushatë kundër finales në Wembley: Nuk luhet aty ku rriten infektimet
U konsiderua si një batutë e momentit por në mediat e huaja po përflitet për një ndryshim të vendit të finales së Kampionatit Europian pasi kryeministri Italian bëri një konstatim që shkon kundër zhvillimit në “Wembley”.
Në një konferencë të përbashkët me kancelaren Angela Merkel, kreu i Ekzekutivit u pyet nga gazetarët për finalen në Londër ku rastet po shtohen dhe infektimet po rriten dhe ai u përgjigj pa frikë.
“Do të thoja PO për të transferuar finalen e Kampionatit Europian nga Londra në Romë sepse finalet nuk mund të luhen në një vend ku infektimet po rriten në mënyrë të ndjeshme”.
Në Britaninë e Madhe realisht ka një rritje të rasteve me covid për shkak të përhapjes së variantit Delta në këtë vend por gjithsesi kjo deklaratë shkon kundër në fakt me atë që po bën UEFA pasi mësohet që kjo e fundit ka rënë dakord që finalja në “Wembley” të luhet jo me 40 mijë por me 60 mijë tifozë të pranishëm.
