Këshilli bashkiak i Vlorës rrëzon Dritan Lelin, nuk ka pensionim për Sekretarin
Dritan Leli refuzoi për herë të dytë të përballej në sallë me Këshillin Bashkiak të Vlorës, por kjo nuk i pengoi anëtaret të rrëzonin me votë vendimin e tij, atë për shkarkimin e Sekretarit të Pergjithshëm të Këshillit.
Konflikti këtë të premte u fokusua te një emër, Agron Gjipali.
Kryebashkiaku Leli kërkoi largimin e tij nga detyra me argumentin se kishte dalë në pension, por me 40 vota Këshilli vendosi ta mbajë në punë.
Sipas kryetarit të Bashkisë kjo histori kishte nisur para zgjedhjeve parlamentare, kur komisionieri për mbikëqyrjen e nëpunësve civile, i kishte kërkuar listën e personave që kanë mbushur moshën e pensionit e për arsye të fushatës Leli tha se kjo procedurë u la për tani.
Edhe këtë herë Kryebashkiaku zgjodhi tua japë përgjigjen online këshilltarëve në një mbledhje paralele në të njëjtën orë.

“Dua të sqaroj opinionin publik, në këtë mbledhje jashtë radhe online, se sekretari i Këshillit Bashkiak, edhe pse i emëruar nga Këshilli i Bashkisë nuk ka statusin e anëtarit të këshillit që zgjidhet nga populli. Funksionet e tij janë administrative dhe pozicioni nuk ka mandat kohor. Marrëdhëniet e sekretarit rregullohen nga legjislacioni i punës. Më poshtë, do të gjeni të gjithë shpjegimin e nevojshëm, referuar çdo hallke ligjore, lidhur me këtë rast".
Por anëtaret e Këshillit Bashkiak, të mbledhur në sallën e universitetit “Ismail Qemali”, thanë se kompetenca për largimin e sekretarit Gjipali nga puna nuk i përket Kryebashkiakut.
Kryetari i socialistëve në Bashki, Anduel Tahiraj, paraqiti si argument nenin përkates.
Vetë Agron Gjipali, personazhi më i fundit në konfliktin mes Kryebashkiakut të Vlorës dhe strukturave socialiste, bëri të ditur për mediat se është pro vendimit të Këshillit Bashkiak për të vazhduar detyrën si sekretar i Përgjithshëm i kësaj strukture.
Pavarësisht se cili do të jetë qëndrimi i Kryebashkiakut për mbajtjen në detyrë të Gjipalit, anëtaret e Këshillit Bashkiak nuk tërhiqen nga tentativa për t'ia thënë në sy kritikat që kanë për punët e Dritan Lelit në Bashki, dhe pse ky i fundit i është kundërpërgjigjur dy herë online.


