“Bomba” me celular drejt Fierit, porosia nuk u dorëzua, policia kapi transportuesin nga Tirana

Një 33-vjeçar nga Tirana u arrestua në Fier duke transportuar dy mina të lidhura me celularë dhe të gatshme për përdorim. Tentative e trafikut, ngre edhe një herë alarmin  se tregu i zi i armëve e municioneve duket se është në lulëzim, ndërsa vendi është përfshirë nga një valë ngjarjesh të rënda kriminale.

Dy bomba me telekomandë të gatshme për përdorim u kapën nga Policia e Fierit.

Një 32-vjeçar nga Tirana i identifikuar si Elton Jata kishte marrë përsipër ti transportonte nga kryeqyteti drejt Fierit ku do të shiteshin.

Por porosia nuk u dorëzua, pasi ai përfundoi në pranga.

I riu u kap në vendin e quajtur "Vija e Ngjalës", teksa udhëtonte në një makinë.

Aty policia i gjeti 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar.

I riu është marrë në pyetje nga policia për të zbuluar personat që prisnin bombat me telekomandë.

Burimet në këtë pikë tregohen të rezervuar me detaje, pasi hetimi po vijon për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari trafiku.

Rasti më i fundit, konfirmon raportimet se tregu i zi i armëve në Shqipëri është në lulëzim.

Vetëm në Durrës në ditët e para të qershorit janë arrestuar 6 trafikantë të eksplozivit dhe municioneve.

Tre persona u arrestuan pasi prodhonin e shisnin për 3000 euro mina të komanduara me celularë. Ndërsa tre të tjerë u kapën me armë dhe municione.

Në 6 muajt e parë të këtij viti janë shënuar 35 viktima në ngjarje të ndryshme, pjesa më e madhe me prapavijë kriminale, sikurse edhe disa raste të tritolvënies që gjithmonë është lexuar si mesazh kriminal për objektivin.