Nuk plotësonin kushtet higjienike, bllokohen 2 punishte të jufkave në Dibër

Policia e Dibrës ka goditur një veprimtari të paligjshme të prodhimit të produkteve ushqimore.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar ka bllokuar dy punishte që përdoreshin për prodhim ushqimi, jufka,  ndërsa ka proceduar penalisht 2 pronarët, përkatësisht shtetasit Musa Kurti, 55 vjeç, banues në Shupenzë dhe Maliq Pana, 65 vjeç, banues në Peshkopi.

"Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar Ushqimor, kanë ushtruar kontrolle të befasishme në disa punishte  që dyshoheshin se përdoreshin në mënyrë të kundërligjshme për prodhimin e ushqimit për konsum.

Si rezultat   në  Shupenzë është bllokuar  punishtja e  shtetasit M. K., dhe në qytetin e Peshkopisë është bllokuar punishtja e shtetasit M. P.,  pasi janë konstatuar duke prodhuar produkte ushqimore në kushte të pa përshtatshme higjienike në kundërshtim me ligjin 'Për Ushqimin', dhe aktivitetin e ushtronin pa qenë të rregjistruar pranë organeve tatimore".

Materialet procedurale  iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale "Mashtrimi me produktet ushqimore", "Fshehja e të ardhurave" dhe "Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore".