Shkëmbi prezantohet në krye të Dinamos: Nuk mund ta refuzoja
Bledi Shkëmbi u rikthye në Kategorinë Superiore pas disa vitesh në drejtimin e një skuadre që përkon edhe me rikthimin e madh të Dinamos në elite.
Trajneri korçar u prezantua si trajneri i ri i klubit kryeqytetas dhe shpjegon arsyet që pranoi këtë aventurë të re që sipas tij do të jetë shumë e rëndësishme për të dhe skuadrën.
“Për një trajner të ri si mua është e pamundur t’i thuash jo një skuadre të tillë. Shpresoj të kem fatin që ta kthej këtë skuadër në ato nivele që ka qenë më parë duke fituar tituj dhe duke arritur në Europë. Presidenca ka objektiv që të fitojmë, por në këto momente do të shikojmë se çfarë lojtarësh do të afrojmë, por objektivat do të jenë madhorë. Falënderoj presidentin Bardhi pasi ishte ai kryesori duke mos harruar bashkëpunëtorët e tij që më dhanë mundësi të jem trajneri i Dinamos”.
Ish trajneri i Teutës, Lirisë së Prizrenit dhe Ballkanit shpjegoi në konferencën për shtyp se do të jetë një sfidë e madhe për të gjithë për shkak të emrit të madh të Dinamos dhe objektivit për ta rikthyer aty ku e meriton.
“Presidenca ka krijuar një buxhet dhe na është komunikuar. Ne punojmë së bashku duke vendosur emrat dhe kushtet financiare që kemi në dispozicion. Nuk kërkojmë lojtarë të mbivlerësuar, por lojtarët më të mirë që ne mendojmë se meritojnë ato kushte financiare. Po mundohemi të krijojmë një bosht me lojtarë të kampionatit shqiptar e më pas do të shikojmë. Ne si staf mendojmë se lojtarët shqiptarë janë më të rëndësishëm. Nuk duhet të largohemi shumë nga Ballkani për të gjetur lojtarë e mendoj se lojtarët nga Maqedonia, Kroacia e Serbia janë lojtarët që na përshtaten më shumë. Është e vështirë të rifillosh nga 0 për të luftuar për vendet e sipërme të klasifikimit, por gjëja e mirë është se emri i Dinamos ka një impakt te lojtarët dhe shumë prej tyre janë gati të bashkohen me ne. Kemi disa emra dhe disa prej tyre kanë firmosur edhe pse nuk janë prezantuar”, u shpreh në konferencën për shtyp trajneri i ri i Dianamos, Bledi Shkëmbi.
