SHBA dhuron 1 milion dollarë pajisje mjekësore për Shqipërinë
Komanda europiane e Shteteve të Bashkuara i ka dhuruar Shqipërisë thuajse 1 milion dollar pajisje mjekësore kundër Covid-19, për spitalin Nënë Tereza në Tiranë. Gjatë fjalës së saj ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se SHBA përkujdeset për popullin shqiptar duke kujtuar edhe një citim nga sekretari Baker disa vite më parë.
“Kur dikush të hapë atë frigorifer për të marrë një dozë vaksine, kur një pacient të shtrihet në një prej atyre krevatëve, kur një ekspert të lexojë një prej atyre ekranëve, shpresoj të kujtohen thellë në zemrat e tyre, se populli amerikan përkujdeset. Ne përkujdesemi shumë për popullin shqiptar. Dhe ashtu siç ka thënë edhe Sekretari Baker kur ishte këtu shumë vite më parë, ‘ju ishit me ne dhe ne jemi me ju’.”
Pajisjet e dhuruara përfshijnë shtretër spitalorë dhe dyshekë për repartin e reanimacionit, respiratorë, aparat grafie, aparate me ultratinguj dhe pajisje mbrojtëse.
Në ceremoninë e organizuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishin të pranishme Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu dhe Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, znj. Yuri Kim.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, siç është populli amerikan, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë vendet të cilat na kanë mbështetur dhe kanë treguar solidaritetin e tyre, në një kohë totalisht të pazakontë," tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar gjatë fjalës së saj se, së shpejti pritet të vijë një sasi e konsiderueshme vaksinash dhe do të ulët fasha e vaksinimit.
“Nuk do të ndalemi derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur në shumë se 960 mijë doza vaksine dhe në ditët në vijim pritet të kemi një sasi të konsiderueshme të vaksinave, të cilat do të sigurojnë edhe hapjen e fashës së grupmoshave, në mënyrë që më shumë qytetarë të vaksinohen “, deklaroi Manastirliu.


