Vrasja në Korçë, 25-vjeçari nga Lushnja u dhunua dhe u vra me duar të lidhura, identifikohen autorët
Duart e lidhura dhe shenjat e goditjeve në kokë kanë shuar çdo dyshim se 25-vjeçari nga Lushnja, Fridman Xhaferraj, që u gjet i vdekur në rezervuarin e Gjancit në Korçë është torturuar dhe vrarë.
Dyshimet janë për një krim që lidhet me pazare droge.
Lulëzim Spahija dhe një 26-vjeçar me inicialet K.B, të dy po nga qyteti i Lushnjes u shpallën në kërkim si autorë të dyshuar të krimit.
Dyshimet janë se i riu nga Lushnja u dhunua dhe vra diku tjetër dhe më pas u hodh me duar të lidhura në rezervuarin 20 kilometra nga Korça, për të zhdukur gjurmët.
Krimi sipas ekspertizës ka ndodhur rreth një javë më parë por doli në dritë vetëm të dielën kur banorët zbuluan trupin e pajetë.
Në fshatin Plug të Lushnjes, ku 25-vjeçari Xhaferraj prej 21 majit duhet të qëndronte me masën e sigurisë "arrest shtëpie", familjarët e fqinjët refuzojnë të flasin.
Një nga vëllezërit ndodhej në Korçë për tërheqjen e trupit, ndërsa një tjetër ndodhet në qeli për kundërshtim me dhunë të efektivëve të Policisë në qytetin e Vlorës.
Ndërsa prindërit mësohet se kanë ndërruar jetë pak vite më parë.
Fridman Xhaferraj nuk është një emër i panjohur për policinë.
Ai njihej si përdorues i lëndëve narkotike dhe akuzohej për djegien e tre makina në Lushnje.
