Euro shënon nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë
Euro ra të mërkurën në nivelin e 122.85 lekëve, duke prekur nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro ka rënë poshtë nivelit të mëparshëm më të ulët të këtij viti, që ishte shënuar më datë 12 maj.
Që prej muajit mars, leku ka qëndruar në pozita të forta dhe të qëndrueshme ndaj euros, pranë nivelit të 123 lekëve.
Në analizën e ecurisë së kursit të këmbimit gjatë muajve të parë të 2021, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se leku ka krijuar një tendencë sezonale mbiçmimi kundrejt euros edhe në pjesën e parë të vitit.
Që prej vitit 2015, muajt mars dhe prill karakterizohen nga një mbiçmim mujor i lekut ndaj euros, prej mesatarisht 0.2% dhe 0.4%.
Përjashtim nga kjo sjellje bëri viti 2020, kur tregu valutor pësoi një goditje afatshkurtër nga pasiguria, me përhapjen e pandemisë në vend.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente arriti në 309 milionë euro.
Kjo shifër është rreth 30% më e lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, por 12% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2020.
Operatorët e këmbimit valutor përgjithësisht kanë vërejtur një kërkesë të ulët për euro, si shpjegim kryesor të tendencës mbiçmuese të lekut në kursin e këmbimit.
Një faktor, me ndikim të rëndësishëm në kursin e këmbimit valutor ngelen edhe të ardhurat nga aktivitete të paformalizuara apo të paligjshme.


