GJK shqyrton paditë e Presidentit për çështjen e teatrit/ Përfaqësuesja e qeverisë: Godina nuk ka pasur vlerë kulturore
Qeveria, Presidenca, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës janë përballur mes tyre në një seancë maratonë në gjykatën kushtetuese lidhur me shembjen e teatrit kombëtar.
Procesi gjyqësor i hapur në gjykatën kushtetuese lidhur me Teatrin Kombëtar përballi në një seancë maratonë institucionet e Presidencës, Kuvendit, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Seanca filloi në orën 10 të së mërkurës dhe vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes. Përfaqësuesi ligjor i Presidencës Bledar Dervishaj përsëriti qëndrimin e Kreut të Shtetit Ilir Meta se ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar por edhe vendimi për kalimin e pronësisë nga Ministria e Kulturës drejt Bashkisë Tiranë bien ndesh me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndërkohë përfaqësuesja e qeverisë Elira Kokona tha se kjo çështje nuk duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi nuk është kompetencë e saj, por nga gjykatat e faktit.
Ajo u shpreh se godina e Teatrit Kombëtar nuk ka pasur vlera kulturore pasi nuk gëzonte statusin monument kulture.
Kokona sqaroi para anëtarëve të Gjykatës se në momentin që teatri ka kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë nuk kishte asnjë funksion publik.
“Çështja është e vështirë, Presidenti është nisur nga fakte që nuk janë ligjore. Rrethanat mbi të cilin bazohet pretendimi dhe kërkesat nuk janë të denja për GJK, nuk janë në kompetencë të GJK.
A mundet Gjykata Kushtetuese të vihet në lëvizje nga Presidenti për një pronë? Godina për të cilën për fat të keq jemi mbledhur këtu nuk është objekt i gjykimit kushtetues. Godina e TK nuk ka pasur vlerë kulturore. Pronat që mbartin vlerë kulturore kanë statuse specifike si monumente kulturore, zona të mbrojtura apo ansamble të mbrojtura.
Teatrit Kombëtar në asnjë moment nuk i është dhënë statusi monument kulture. Prej disa vitesh TK selinë e ka në godinën Art Turbina. Rekuizitat dhe arkivat me urdhër të Ministrisë së Kulturës janë transferuar në këtë godinë. Në momentin që godina i është transferuar Bashkisë Tiranë ka qënë një pronë publike pa funksion publik, në të nuk zhvillohej asnjë aktivitet.Presidenti i është drejtuar GJK për akte tipike individuale, duke i kërkuar Gjykatës të zgjerojë praktikën e saj. GJK të mos shkojë në këtë drejtim të rrezikshëm. ”- ka thënë ajo.
Fakte e argumente parashtruan në seancë edhe përfaqësuesja e Kuvendit si dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Kjo e fundit, ashtu si më parë kërkoi shpalljen antikushtetues të veprimeve që çuan në shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar.





