Ademi dërgon Ndreun në gjykatë: Mbledhja e Shoqatës në kundërshtim me ligjin
Debati për kreun e Shoqatës së Bashkive ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, i ka kërkuar gjykatës të shpallë të pavlefshëm zgjedhjen e Pjerin Ndreut në krye të Shoqatës.
Përplasja për kreun e Shoqatës së Bashkive spostohet në Gjykatën e Tiranës.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjes së Pjerin Ndreut dhe ta njohë atë si drejtuese të Shoqatës.
Në shkresen drejtuar gjykatës, Ademi nënvizon se Bashkia e Lezhës, e drejtuar nga Pjerin Ndreu, nuk është pjesë e Shoqatës, e kësisoj sipas saj, mbledhja e organizuar nga Ndreu disa ditë më parë është në kundërshtim me ligjin.
Kërkesa e Ademit është shortuar dhe pritet që gjyqtarja e caktuar të zgjidhë me vendim këtë mosmarrveshje që ka lindur mes drejtuesve lokalë.
Voltana Ademi, e vetmja demokrate mes 60 kryebashkiakëve socialiste, u shkarkua si drejtuese e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë me 8 qershor.
Pjerin Ndreu u zgjodh në krye, ndërsa Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli nënkryetarë, ne nje proces ku nuk ishte e pranishme Voltana Ademi.
Pas mbledhjes ajo reagoi duke thënë se veprime të tilla cënojnë parimet e shtetit ligjor.
Si nismëtar i mbledhjes së Asamblesë dhe kryetar i ri, kryebashkiaku i Lezhës tha se Shoqata nuk mblidhej prej dy vitesh, ndërsa mohoi dyshimet e ngritura nga Voltana Ademi se me këtë lëvizje, kjo strukturë vendore mund tërheqë padinë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet vendore 2019.

