“Specialët” kundër kriminalitetit, RENEA “skanon” Fierin e Shkodrën, 1 në pranga, 23 në komisariate

Forcat Speciale të Policisë së Shtetit janë nxjerrë në terren si përgjigje pas valës kriminale që përfshiu vendin. 1 person u arrestua dhe 23 janë shoqëruar gjatë aksioneve blitz në Shkodër e Fier.

Këto pamje tregojnë aksionin e Forcave Speciale Renea në Fier për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Në pranga u vu vetëm një 27-vjeçar, person me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje. 

Indrit Hoxhaj (Kuçi)  u arrestua në një lokal në Lagjen “Fermë-Çlirim”, pasi lëvizte i armatosur.

27-vjeçari kur vuri re praninë e forcave speciale hodhi nga dritarja çantën e dorës, brenda të cilës kishte një pistoletë, dy karrikatorë dhe kartën e tij të identitetit.

Operacioni i forcave speciale i nisur të hënën nga Vlora u shtri njeherësh në Fier e Shkodër.

Burime policore thanë se ata ushtruan kontrolle në 18 lokale dhe 21 ambiente të ndryshme.

23 persona të identifikuar me precedentë apo tendencë kriminale në fushën e narkotikëve apo armëmbajtjes u shoqëruan për verifikime.

Aksionet blitz të Forcave Speciale vijnë pas një vale ngjarjesh të rënda kriminale që përfshinë vendin duke shkaktuar 35 viktima.