"Ia dolëm dhe kësaj sfide", Rama përshëndet heqjen e kufizimeve për Shqipërinë nga BE
Kryeministri, Edi Rama, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e kufizimeve për udhëtarët nga Shqipëria.
"Lajmi që prisni. Bashkimi Europian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore jashtë BE, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë".
Qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk do të kenë më kufizime kur të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ambasadorët e 27 vendeve vlerësuan të mërkurën se tri shtetet ballkanike e kanë nën kontroll situatën epidemiologjike ndaj edhe konsiderohen vende të sigurta.
Vendimi mbetet jodetyrues pasi secili vend i BE-së mund të vazhdojë të kërkojë një tampon negativ ose karantinim të personave të huaj.
Statusin "vend i sigurt" e përfitojnë ato shtete që kanë jo më shumë se 75 infektime me kovid-19 për 100,000 banorë, brenda një afati dyjavor.

