Socialistët nuk e lënë rehat Dritan Lelin, Këshilli Bashkiak kërkon një tjetër mbledhje me 22 qershor
Pasi të martën ka dështuar mbledhja e thirrur nga Këshilli Bashkiak me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, socialistët në Bashki kërkojnë një tjetër përballje me Lelin. Duke i quajtur veprimet e kryetarit të Bashkisë në shkelje flagrante të ligjit, këshilltarët tanimë kërkojnë një tjetër përballje me datën 22 qershor.
Kryebashkiaku Dritan Leli u hapi 'luftë' dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Vlorës e kanë pranuar sfidën.
Pasi u dështoi tentativa e parë e mbledhjes, 37 nga 46 këshilltarët, kërkojnë një përballje tjetër me Lelin.
Në një dokument të firmosur të mërkurën, socialistët shprehen se kryetari i Bashkisë në përgjigjen e tij ka tejkaluar në mënyrë flagrante kompetencat ligjore.
Bëhet fjalë për dështimin e mbledhjes të së martës, ku drejtuesi i Vlorës u mbylli derën e Teatrit ku ata kishin parashikuar te zhvillonin mbledhjen.
Firmëtarët shprehen se i përket Këshillit të Bashkisë, jo vetëm data, por edhe vendi i zhvillimit të aktivitetit.
“Në Gjykimin tonë, veprimet e kryera janë në shkelje të përcaktimeve ligjore, cënojnë rëndë një prej parimeve kryesore të demokracisë, ushtrimin e detyrës së të zgjedhurve nga qytetarët”.
Këshilltarët socialistë kërkojnë përballjen me datën 22 qershor në orën 10:00 në të njëjtin vend, në teatrin “Petro Marko”, aty ku dështuan në tentativën e parë për ti kërkuar llogari Kryebashkiakut në lidhje me shqetësimet e qytetarëve për punët në qytetin bregdetar.




