Shkodra përkujton të vrarët e komunizmit në kufi/ Rreth 4500 të pushkatuar të komunizmit ende nuk kanë varr

Në Shkodër u përkujtua demonstrata e 16 qershorit 1990, që mori shkas nga vrasja e një 17 vjeçari në tentativë për të dalë nga Shqipëria komuniste. Prej 31 vitesh kjo njihet si dita e përkujtimit të viktimave në kufi, ku shumë prej tyre ende nuk e kanë një varr.

Pëllumb Pëllumbi ishte vetëm 17 vjeç, kur u vra në Han të Hotit në përpjekje për të dalë nga Shqipëria ende komuniste më 14 qershor të vitit 1990.

“Pëllumb Pëllumbi kishte mëkatin e vetëm sepse kërkonte lirinë”

Ngjarja u bë shkas për demonstratën e madhe të 16 qershorit 1990 në Shkodër e cila prej 31 vitesh tashmë ka hyrë në histori si dita e përkujtimit të vrarëve në kufi.

“Kaluan mes përmes kësaj rrugës këtu deri në Golem duke shpëtuar kufomën me thirrjet poshtë diktaturës."

“Rasti iPëllumb Pëllumbit ishte një mesazh i fortë ndaj qeverisë në pushtet asokohe Ramiz Alia.”

17 vjeçari Martir i Demokracisë, Vat Beqi, Ded Gjerka dhe Gjon Kumbullaku, ishin katër të fundit nga të rinjtë e të rejat shqiptare të cilëve ëndrra për liri u mbyll në kufijtë me tela me gjemba.

Shumë prej tyre ende sot nuk e kanë një varr, ndaj familjarët e shoqatat e ish të përndjekurve ripërsërisin thirrjen për gjetjen e eshtrave që së paku të kenë një vend ku t'i nderojnë.

‘Asnjëherë nuk është bërë asnjë drejtësi.”

“Të caktohet një parcelë në Tiranë dhe t’u vihet nga një gur të gjithëve, këtyre që nuk u janë gjetur eshtrat.  “

Gjekë Beqi, një prej të paktëve që shpëtuan gjallë nga plumbat në kufi thotë se përkujtimi i viktimave në kufi është respekt  për lirinë që ne gëzojmë sot.

“Asnjëri se beson atë që ka ndodhur. Na kanë vrarë  kot”- shprehet ai.

Janë 4500 të pushkatuar që ende edhe sot nuk dihet se ku i kanë varret, pasi regjimi komunist i ekzekutoi pa gjyq.