Doli nga rruga me motor, humb jetën 68- vjeçari në Memaliaj

Aksidentet vijojnë të përgjakin rrugët e vendit. Një 68-vjeçar humbi jetën në Memaliaj, pasi doli nga rruga duke udhëtuar me motor, ndërsa në Korçë një këmbësor u përplas në trotuar nga një grua që ngatërroi pedalin e frenave me atë të gazit. Një aksident i rëndë u shënua edhe në Durrës, ku Ora News ka siguruar pamjet e një kamera sigurie që ka filmuar ngjarjen ku mbeti e plagosur një e moshuar.

Një 68-vjeçar humbi jetën në një aksident mëngjesin e së mërkurës në Memaliaj.

Adem Hada po udhëtonte me motor, në rrugën Krahës-Zhulaj ku dyshohet se humbi kontrollin e mjetit

Përplasja rezultoi fatale për të dhe ndërroi jetë në vend.

Aksident edhe në Korçë.Një këmbësor mbeti i plagosur rëndë pasi u përplas nga një makinë teksa po ecte në trotuar.

Burimet thanë se makina drejtohej nga një grua e cila sipas policisë ngatërroi pedalin e frenave me atë të gazit teksa po tentonte të parkonte.

Për pasojë mjeti ka hipur mbi trotuar duke goditur këmbësorin, i cili ka marrë dëmtime të rënda dhe u transportua në Spitalin e Traumës për mjekim të Specializuar.

"Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 9, Korçë, pranë ish-Valutës, shtetasja Xh. A., 31 vjeçe, banuese në Korçë, gjatë kryerjes së manovrave për parkim, ka humbur kontrollin e mjetit tip "Benz" të cilin drejtonte dhe për pasojë, ka hipur mbi trotuar duke dëmtuar kalimtarin J. P., 47 vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë.Ky shtetas pas mjekimit të marrë në Spitalin e Korçës, u transportua në Tiranë për mjekim më të specializuar. Drejtuesja e mjetit, ndodhet e shoqëruar në Komisariat ku po kryhen veprimet e nevojshme procedurale" njoftoi policia.

Ndërsa këto pamje të siguruara nga Ora News i përkasin një aksidenti të shënuar në Durrës, ku e plagosur mbeti një grua.

Ajo po ecte në këmbë e shoqëruar nga një burrë, kur një makinë vjen me shpejtësi nga krahu tjetër i rrugës dhe i përplas të dy dhe largohet me shpejtësi.

Pas goditjes burri arrin të ngrihet dhe tenton të ndjekë mjetin, ndërsa kalimtarët shkojnë për tu dhënë ndihmën e parë.

Policia e Durrësit thotë se ka arritur të identifikojë autorin e aksidentit dhe po punohet për ta arrestuar.

Gruaja e aksidentuar u dërgua në Spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

6 muaj e parë të vitit kanë prodhuar bilanc tragjik të aksidenteve.

Vetëm gjatë muajit maj, sipas të dhënave janë regjistruar rreth 130 aksidente, me pasojë 22 viktima dhe 27 të plagosur rëndë. 88 persona të tjerë janë dëmtuar më lehtë.

Nga janari deri në maj, aksidentet kanë marrë 92 jetë në rrugët e vendit.