Elbasan/ Specialistët ngrenë alarmin, ndotja 4-8 herë më e lartë se normalja

Qyteti i Elbasanit vijon të ketë nivele të larta të ndotjes së ajrit prej vitesh dhe renditet në një nga qytetet më të ndotura në Shqipëri.

Qytetarët e Elbasanit dita ditës janë duke u helmuar nga ndotja e ajrit, e cila është tetë herë më e lartë nga normat e lejuara, sipas matjeve të ambientalistëve,  raporton  Edisona Skënderi, gazetarja e Ora News nga Elbasani.

Kjo situatë po shkakton probleme serioze të rënda për qytetarët e Elbasanit.

Specialistët  kanë bërë matjet e nivelit të ndotjes së ajrit  tre vitet e fundit dhe ngrenë alarmin se Elbasani është Bashkia më e ndotur në të gjithë vendin.Zona e Metalurgjikut, ku zhvillohet industria e rëndë është  zona më problematike e qytetit.

Normat në zonën e Metalurgjkut janë 8 herë më të larta nga normat normale, siç përcaktohen nga BE.

Ndërsa normat e ndotjes së ajrit në pjesën tjetër të qytetit janë katër herë më të larta nga normat e lejuara.

Specialistët ngrenë alarmin se kjo situatë nuk mund të vazhdojë  në këtë mënyrë, pasi numri i personave që kanë shfaqur probleme është i lartë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se Elbasani ka numrin më të lartë të personave me sëmundje të paidentifikueshme, që lidhen me faktorë të jashtëm, me ajrin dhe ujin.

Pikërisht në zonën e Metalurgjikut, janë të shumtë ata që kanë probleme me lëkurën, si pasojë e ajrit dhe ujit të ndotur, sipas banorëve të zonës.

Edhe pse vazhdimisht kjo situatë është trajtuar në media, duke transmetuar  shqetësimin e banorëve, deri tani nuk është marrë asnjë masë nga autoritetet përkatëse.

Bashkia e Elbasanit rreth 2 vite më parë vendosi matës për sa i përket cilësisë së ajrit, por që prej atëherë Bashkia nuk ka bërë asgjë publike nga matjet e kryera.