Ndërtime pa leje në Himarë, Borsh e Dhërmi, 3 të arrestuar dhe 2 në kërkim

Tre të arrestuar, dy të proceduar dhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim policor është bilanci i një aksioni të policisë së Sarandës  për ndëshkimin e ndërtimeve të paligjshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe ato të Komisariatit të Policisë Himarë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar ndërtimin pa leje të katër objekteve, të dy strukturave prej druri dhe të një muri mbajtës.   

Uniformat blu arrestuan dy punëtorët  F. B., 47 vjeç banues në Konispol dhe T. P., 44 vjeç, banues në Lushnje si dhe u procedua penalisht pronarja e objektit, shtetasja V. H., 37 vjeçe, banuese në Sarandë.

Këta shtetas u konstatuan nga shërbimet, në Ksamil, duke kryer punime në një objekt (proceduar më parë), pa leje nga autoritetet kompetente. 

Po kështu u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm", i shtetasit K. Xh., 54 vjeç, banues në Dhërmi, pasi u konstatua nga shërbimet, duke ndërtuar pa leje nga autoritetet kompentete.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë shpallja në kërkim policor për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm", e shtetasve: D. H., 29 vjeç, pasi ka ndërtuar tri objekte pa leje nga autoritetet kompetente, në lagjen “Shkallë”, Borsh dhe E. H., 32 vjeç, pasi ka ndërtuar një objekt pa leje nga autoritetet kompetente, në lagjen “Shkallë”, Borsh. 

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht shtetasin Dh. L., 61 vjeç, pasi ka ndërtuar një mur mbajtës, në fshatin Dhërmi, pa leje nga autoritetet kompetente.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.