Punimet në shtyllën e tensionit të lartë të paligjshme, drejtori dhe inxhinieri i OST arrestohen për vdekjen e elektriçistëve
Dy elektriçistët që humbën jetën të martën në Fier, kishin marrë urdhër të paligjshëm nga eproret e tyre për të kryer punime në linjën 110 KV te fshatit Jogodinë.
Hetuesit arritën në këtë përfundim për ngjarjen tragjike, ndërsa policia vuri në pranga Andi Prifti, drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier dhe inxhinierin e OST-se Eriseld Lala.
Prifti dhe Lala mbajnë pergjegjesi ligjore për urdhrin e jashtëligjshëm ndaj elektriçistëve Gjergji Duka 50-vjeç dhe Bashkim Saliasi 64-vjeç.
Ata u dërguan për zëvendësimin e linjës 110 KV Roskovec-Jagodinë. Ndersa po hiqnin telat e tensionit të lartë për t’i hapur më pas rrugë zëvendësimit të shtyllave, struktura u shkëput dhe i zuri poshte duke i lënë të vdekur në vend.
Ora News ka udhëtuar për në fshatin Panahori të Mallastrës ku Bashkim Saliasi jetonte prej vitesh.
Banorët e zonës flasin për humbjen e elektriçistit.
"Njeriu më specialist, për kushte teknike humb jetën".
"Në mes të natës ti thoje kam një hall për elektrikun, i papërtuar."
Konfederata e sindikatave e vlerëson tragjike situatën e krijuar ne sektorin elektroenergjitik, nga mungesa e theksuar e sigurisë në punë, ku në 6 muajt e fundit kanë humbur jetën të paktën 5 punonjës.
