Shima: Sulmi ndaj RTV Ora e Ora News politik, televizionet do të vazhdojnë punën për të vërtetën
Drejtori i përgjithshëm i informacionit në RTV Ora, Brahim Shima u shpreh se kërkesa për sekuestron e pasurive të z. Ylli Ndroqi, së bashku me televizionet kanë ndikuar edhe te gazetarët.
Ai tha se, pavarësisht këtyre veprimeve të SPAK, RTV Ora dhe Ora News, do të vazhdojnë punën me programe dhe duke raportuar të vërtetën.
Shima: Ne i kemi ndenjur korrekt lajmit dhe kemi shprehur që në gjykatë të dalë e vërteta. Vetë avokatët kanë kërkuar mbylljen e hetimeve dhe përballjen në gjykatë. Sigurisht një veprim i tillë solli edhe një ndikim te gazetarët, por ata kanë ditur ta kalojnë sepse e dinë se si është e vërteta. Televizioni do të vazhdojë dhe ne kemi në shtator nisjen e programeve të reja. Kemi 2 emisione për sportin dhe do të kemi edhe Orën Verore këtë verë. Ne jemi të bindur se jemi me të vërtetën.
Dje ka pasur lajme dhe spekulime, sepse shumica nuk e kuptojnë se cila është kërkesa për sekuestrim dhe vendimi i gjykatës për sekuestro. Sigurisht që ka edhe media që përdoren për të sulmuar. Hetimet nga SPAK janë mbyllur dhe është dorëzuar në gjykatë dhe kërkohet diferenca për pasuritë. Hapi i parë do të jetë në lidhje me këtë diferencë. Në shpresojmë që gjykata të jetë jashtë presioneve mediatike dhe politike. Edhe pse mendoj se deri më sot çështja është e nisur politikisht. E gjitha nis në një fazë tejet kritike ku po publikonim lajme për institucionet shtetërore dhe bashkisë Tiranë.
Shima shtoi përgjatë vitit të fundit ndaj RTV Ora dhe Ora News, ka pasur disa tentative të ndryshme për të ndryshuar linjën editoriale.
Shima: Sigurisht që kjo është një formë presioni ndaj medieve dhe gazetarëve, gjë e cila nuk duhet lejuar. Sigurisht që ne si media kemi problemat tona, por lajmet që ne kemi dhënë nuk janë përgënjeshtruar nga asnjë institucion. Kjo më lë të besoj se kemi qenë të vërtetë dhe të saktë. Ne do t'i qëndrojmë të vërtetës dhe lajmin. Nuk kemi mendësi për tu hakmarrë për sulmet politike dhe presionit. Ka pasur shumë forma gjatë këtij viti për të ndryshuar linjën editoriale. Nga ana tjetër edhe nëse nuk kemi një drejtësi shqiptare, drejtësia vjen nga ndërkombëtarët, por një gjë e tillë u kushton xhepave të taksapaguesve shqiptare.


