Hajdutët po bëjnë "kërdinë" në fshatin Bërxullë, banorët kthehen në rojë gjatë natës
Ndodhemi në fshatin Bërxullë aty ku prej kohësh hajdutët po bëjnë kërdinë. Banorët janë të detyruar që gjitha natën të qëndrojnë zgjuar nga frika e vjedhjes.
Situata në fshatin Bërxullë, i cila ndodhet vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, është shqetësuese.
Në të hyrë të fshatit, banorët e kuptojnë që je i huaj. Përveç shikimeve të drejtpërdrejta ata të shoqërojnë në çdo anë derisa të binden se nuk ke ardhur për të kryer vjedhje
Ata tregojnë se shumica e shtëpive në këtë fshat kanë rënë pre e hajdutëve.
"Kanë hyrë nëpër shtëpi, kanë bërë bastisje, kanë bërë krime. Këto quhen krime, kurse shteti përderisa është shtet duhet t'i gjejë dhe t'i ndëshkojë rëndë," thotë një banor.
"Gjithë njerëzit ankohen, thonë rrimë gjitha natën rojë se na vjedhin dhe nga kjo punë edhe unë mbyll autobusin dhe ik me vrap te shtëpia rri rojë," thotë banori.
Në mungesë të patrullës së policisë te rinjtë e fshatit janë të detyruar të patrullojnë në fshat gjatë natës, si e vetmja mënyrë për të ndaluar dhe kapur hajdutët.
"Gjithë rinia e lagjes ose e fshatit, shkojnë punojnë ditën dhe gjithë natën rrinë torturohen që mos i futet tjetri në shtëpi, se po tu fut tjetri në shtëpi ta ka marrë pasurinë, t'i ka marrë të gjitha," thotë banori.
"Rrinë çunat, ditën punojnë dhe natën roje për hajdutët që ndoshta janë dhe këtu brenda për brenda se ne nuk e dimë kush janë, po i lutem shtetit të ngrihet në këmbë," thotë banorja.
"Këtu nuk funksionon asgjë, këtu është mbrapsht çdo gjë," thotë banori.
Në një video të siguruar nga RTV ORA nga një kamër sigurie e një prej banesave të fshatit shikohet se si hajdutët veprojnë qetësisht duke vjedhur disa pajisje punë.
Nisur edhe nga kjo situatë banorët thonë se janë të detyruar që të pajisjen më armë zjarri pasi jeta e tyre është në rrezik.
Ndërkohë burime nga policia bëjnë më dije se prej dy netësh ka shtuar praninë e forcave të policisë, por deri më tani asnjë prej hajdutëve nuk është arrestuar.
