Admir Tafilaj, i dënuar me burg përjetë, pyetet në SPAK për rihapjen e vrasjes së babait në 2000

I dënuari dy herë me burgim të përjetshëm, Admir Tafili, është marrë për disa orë në pyetje ditën e sotme nga prokurorët e posaçëm të SPAK-ut.

Tafili ka kërkuar rihapjen e vrasjes së babait të tij Bahri Tafili, nga Policia e Shkodrës, vrasje për të cilën ai ka treguar se di emrat dhe autorët e krimit.

Gjatë ditës së sotme, Tafili mësohet tu ketë treguar prokurorëve se ish-punonjësi i policisë së Shkodrës, Prelë Pjetrushi, është ekzekutori i babait të tij, dhe për këtë ai ka treguar se kishte prova të rëndësishme dhe dëshmitarë konkretë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 2 gusht të vitit 2000, ku në Shkodër ka mbetur i vrarë Bahri Tafili dhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Kjo ishte ngjarja që solli dhe kthesën e beftë, duke vijuar me pas me vrasje të bujshme, tentativa vrasjeje, plagosje të rëndë, arratisje nga burgu e shumë vepra tjera të rënda në vijimësi, që nisën pikërisht në ditën e nxehtë të 2 gushtit 2000 në Shkodër.

Bahri Tafili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte autor i vrasjes së Gëzim Gecit, pas një konflikti për çështje pronësie.

Shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi dhe disa efektivë të tjerë në mesditën e 2 gushtit 2000, po kryenin një kontroll rutinë, kur vunë re se Bahri Tafili u largua me vrap dhe u mbyll në banesë.

Policia rrethoi banesën, por Bahri Tafili së bashku me dy djemtë e tij, Gencin dhe Admirin, hapën zjarr në drejtim të policisë, duke bërë që të vritet Arben Zylyftari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, policia vrau Bahri Tafilin dhe arrestoi dy djemtë e tij. Por pak muaj më vonë, Tafilajt akuzuan direkt shefin e krimeve të Shkodrës, Prelë Pjetrushin, si autor të vrasjes së babait të tyre, duke filluar një sagë hakmarrjesh.

Pjetrushit i bëhet një atentat teksa ndodhej me shërbim në komisariatin e Malësisë së Madhe dhe mbetet i plagosur rëndë.

Si autor i ngjarjes u dyshuar Admir Tafili dhe disa muaj më vonë arrestohet nga policia, ndërsa oficeri i lartë i policisë Prelë Pjetrushi largohet drejt Amerikës për arsye sigurie, por la pas familjen në Shkodër.