Trafikonte lëndë narkotike, “arrest me burg” për efektivin e “Shqiponjave” në Sarandë
Gjykata e Sarandës ka vendosur që të lërë në burg efektivin e forcave "Shqiponja", Lavdosh Metaj, i cili dyshohet se merrej me shpërndarjen e lëndevë narkotikë.
38-vjeçari Metaj u arrestua nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme pas një hetimi disa mujor, ku sipas organit të akuzës ai shpërndante sistematikisht drogë në lokalet e populluara gjatë shërbimit por edhe jashtë tij.
Në gjyqin e zhvilluar me dyer të mbyllura, efektivi i "Shqiponjave", Lavdosh Metaj, nuk ka pranuar veprën për të cilën akuzohet, duke pretenduar se lënda narkotike e gjetur në shtëpinë e tij ishte për përdorim vetjak.
Por trupa gjykuese e kryesuar nga Alban Veçani nuk është bindur nga deklaratat e të akuzuarit duke pranuar kërkesën e prokurorisë për të lënë atë në burg.
Avokati mbrojtës nga ana e tij kërkoi në seancën gjyqësore masën e sigurisë "arrest shtëpie" ose garanci pasurore.
Ndërsa edhe këto kërkesa nuk u pranuan nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë.
Avokati mbrojtës, në prononcimin pas përfundimit të seancës gjyqësore u shpreh se vendimi i marrë do të apelohet.
Gjatë kontrolleve në banesën e efektivit të policisë, atij iu gjetën lëndë narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza.
