Bllokohet këshilli bashkiak i Vlorës, Leli mbyll "Petro Markon", mbledhja në Zoom

Këshilli Bashkiak i Vlorës, i thirrur nga disa anëtarë që kërkuan llogaridhënie të kryebashkiakut Leli për shërbimet ndaj qytetarëve të Vlorës nuk arriti të mblidhej.

Në orën 10:00 këta anëtare siç kishin paralajmëruar iu drejtuan teatrit “Petro Marko”, por dera aty ishte e kyçur.

Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, Anduel Tahiraj, njëkohësisht dhe kryetar i degës së PS-së, e kishte një pergjegjës për këtë pengesë, kryebashkiakun Dritan Leli, i cili nuk lejoi hapjen e sallës për zhvillimin normal të mbledhjes.

Sipas drejtuesit të socialistëve të Vlorës, Dritan Leli ka humbur besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e partisë.

Tahiraj: Kryetari i bashkisë së Vlorës e ka humbur mbështetjen e Partisë Socialiste por njëkohësisht edhe besimin e qytetarëve të Vlorës.

Por përballe këtij qëndrimi, Dritan Leli, e kishte gati argumentin.

Ai përdori vendimin e Komitetit Teknik dhe masat anti-Covid që nuk lejojne tubimet në salla, i shqetësuar për shëndetin e anëtareve të këshillit bashkiak.

E ndërsa u mbylli derën e teatrit "Petro Marko", vetË Leli mblodhi online drejtuesit e intitucionit vendor, nga ku ftoi këshilltarët të bëheshin pjesë e diskutimit.

Leli: Në respekt të ligjit dhe masave në fuqi për të parandaluar përhapjen e Covid 19, theksojmë sikur jemi shprehur edhe më parë në disa letra të përsëritura se mbledhja e këshillit të bashkisë Vlorë duhet të zhvillohet online. Nga sa më lart është bërë e qartë nga unë personalisht se ambjentet e teatrit "Petro Marko" nuk do të jenë në dispozicion për zhvillimin e kësaj mbledhje.

Një pretendim i tillë u konsiderua qesharak nga kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Tahiraj, ndërsa përcolli dhe një mesazh ndaj Lelit për afrim me kundërshtarët demokratë.

Tahiraj: Ky është një pretendim qesharak sepse po i njëjti kryetar jo pak ditë më parë u dha leje forcave të tjera politike, PD, dhe aleatëve të saj.

Krisja e marrëdhenieve të kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli me kryetarin e Partisë Socialiste

Edi Rama nisi që para zgjedhjeve parlamentare dhe tani është kthyer në një betejë me të gjithë strukturat socialiste në Vlorë.