Kina denoncon G7: Kanë ikur ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një grup i vogël vendesh
Kina ka dalë kundër Grupit të 7 vendeve më demokratike dhe të pasura të botës, liderët e të cilëve përmbyllën të dielën samitin treditor në Britani të fokusuar te kriza epidemike, klima, ekonomia dhe problemet e barazisë.
Në deklaratën finale, kryeministri Boris Xhonson, presidenti amerikan, Xho Bajden, dhe homologët nga Gjermania, Franca, Italia, Japonia dhe Kanadaja u ofruan më shumë mbështetje vendeve të goditura nga kriza klimatike.
Tjetër vendim me rëndësi është heqja dorë nga përdorimi i qymyrit si burim energjie.
Për vendet në zhvillim u propozuan, ndërkaq, edhe fonde për projekte infrastrukturore të cilat konkurrojnë planin kinez të "Rrugës së Re të Mëndafshit", dhe drejtpërdrejt interesat e Pekinit.
"Kanë ikur ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një grup i vogël vendesh. Ne gjithmonë besojmë se shtetet, të vogla a të mëdha, të forta a të dobëta, të varfra a të pasura, janë të barabarta, dhe çështjet botërore duhen zgjidhur në konsultim me të gjitha vendet," reagoi ambasada kineze në Londër.
Liderët e G7-ës folën hapur ditët e fundit për politikat e jashtme të Kinës dhe Rusisë, por me kritika të veçanta për Pekinin kur bëhet fjalë për çështje të siguria, të standardeve në punë dhe për keqtrajtimin e minoriteteve, si ujgurët.
Në të kaluarën, Kina i ka qortuar këto qëndrime të fuqive të mëdha perëndimore, duke thënë se i kthejnë ato pas në kohën e kolonializmit, dhe se qëllimi i tyre është të ndalin influencën kinezë nëpër botë.

