Kryeministri i Izraelit në prag largimi, i dorëzon pushtetin opozitës

Parlamenti izraelit pritet të dielën (sot)  të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanjahu, dhe t’ia besojë atë rivalëve të bashkuar pavarësisht vijave ideologjike.

Të shtunën mbrëma, rreth 2 mijë protestues u mblodhën para rezidencës së kryeqeveritarit për të festuar largimin e tij pas 12 viteve në pushtet.

Krerët e koalicionit prej 8 patish që synojnë ekzekutivin thonë se votimi i së dielës i jep fund krizës politike 2-vjeçare-e-gjysmë që është shoqëruar me disa zgjedhje të parakohshme.

Nëse qeveria e re konfirmohet, ish-ministri i Mbrojtjes, Naftali Benet, do të marrë karrigen e kryeministri për dy vitet e para, ndërsa arkitekti i koalicionit, Jair Lapid, do e vijojë mandatin e mbetur.

Spektri politik që ata do të përfaqësojnë është i gjerë, me tre parti të djathta, dy të qendrës dhe dy parti të majta të cilat në tryezë kanë ftuar edhe një grup konservator arab.

Sidoqoftë, së bashku ata përbëjnë një shumicë delikate, duke numëruar jo më shumë se 61 vende nga 120 që ka parlamenti izraelit.

Aleanca mori formë dy javë pas konfliktit të fundit 11-ditor mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit, si edhe pas dhunës me baza etniko-fetare në qytetet me shumicë arabe.

Netanjahu ka thënë se koalicioni kundërshtar nuk reflekton vullnetin e votuesve.