Arabia Saudite nuk do lejojë besimtarët e shteteve të huaja të marrin pjesë në ritualin e Haxhit për shkak të Covid-19

Arabia saudite ka bërë të ditur se këtë vit nuk do të lejojë besimtarë të shteteve të tjera për të marrë pjesë ën ritualin e Haxhit.

Shkak është pandemia Covid 19 dhe masat e marra për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Megjithatë do të jenë 60 mijë persona që do të kenë mundësi të bëhen pjesë e ceremonisë. 

Ministria Saudite e Haxhit dhe Umrese ka bërë të ditur se ceremonitë do të jenë të hapura për shtetasit dhe banorët e mbretërisë, me një numër të kufizuar në 60.000 pelegrinë.

Të gjithë pjesëmarrësit do të jenë në një moshë nga 18 deri 65 vjeç, por ata nuk duhet të kenë sëmundje kronike dhe duhet të jenë vaksinuar.

Zyrtarët sauditë thanë këtë javë se është e rëndësishme të tregohet kujdes për shkak të varianteve të reja të koronavirusit.

"Ne nuk duam që Haxhi i këtij viti të jetë një epiqendër për përhapjen e sëmundjes në Mbretëri ose në botën myslimane," tha Ministri Saudit i Mediave, Majid al-Qasabi.

Haxhi në përgjithësi tërheq më shumë se 2 milionë pelegrinë në qytetet e shenjta myslimane të Mekës dhe Medinës. Këtë vit është planifikuar të mbahet në datat 17-22 korrik.

Për të dytin vit me radhë shumë vende tashmë kanë anuluar pelegrinazhet e tyre të organizuara nga shteti për në Mekë.

Rituali i Haxhit, vitin e kaluar u mbajt me pjesëmarrjen e vetëm të rreth 1000 besimtarëve.

Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.