Kosovë, rritet besueshmëria ndaj kryeministrit Thaçi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij, kanë shënuar ngritje të besueshmërisë nga qytetarët, për dallim nga Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët kanë shënuar rënie të besueshmërisë.Ndërsa për institucionet publike, qytetarët mendojnë se ka korrupsion të lartë në to, duke shënuar kështu ngritje të kësaj pike krahasuar me vlerësimet e mëhershme. Si problem kryesor në Kosovë, qytetarët mendojnë se është çështja e papunësisë. Këto janë disa nga të gjeturat e raportit "Faktet e Shpejta të Pulsit Publik V", i publikuar nga UNDP.Sipas Atdhe Hetemit, menaxher i projektit në fjalë, Kryeministri i vendit së bashku me qeverinë që e drejton kanë shënuar ngritje të besueshmërisë, kurse Presidentja dhe kryetari i Kuvendit janë në rënie."Nëse i krahasojmë të dhënat me prillin e vitit 2012 se kënaqshmëria për punën e kryeministrit është ngritur për 4 për qind, gjersa ajo për punën e Qeverisë është ngritur për 6 për qind. Gjithashtu, ngritje të kënaqshmërisë vërehet në punën e gjyqeve. Nëse i krahasojmë të dhënat edhe në nëntorin e vitit 2011 kjo ngritje është nga 19, mandej 17 për qind në prill në 24 për qind në tetor të vitit 2012. Sa i përket kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e parlamentit dhe me punën e prokurorisë, të dhënat tona nuk tregojnë ndonjë ndryshim domethënës, mirëpo, një rënie e kënaqshmërisë vërehet në punën e kryetarit të Parlamentit, diku rreth 3 për qind. Gjithashtu një rënie e kënaqshmërisë, diku rreth 7 për qind, vërehet me punën e Presidentes", ka thënë ai.Po ashtu, sipas të dhënave të raportit, shumica e qytetarëve të Kosovës, afro 70 për qind e tyre, janë të pakënaqur me orientimin tash për tash politik të vendit. Po ashtu, mbi 75 për qind e qytetarëve janë të pakënaqur edhe me orientimin ekonomik të qeverisë. Lidhur me pakënaqësinë e qytetarëve për orientimet e gabuara të qeverisë në fushën e politikës dhe të ekonomisë, rreth 78 për qind e qytetarëve e fajësojnë Qeverinë e Kosovës.Në këtë raport përmendet se rreth 42 për qind e qytetarëve mendojnë se problemi kryesor në vend është papunësia, pasuar me 20 për qind të qytetarëve që mendojnë se është varfëria, kurse 8 për qind prej tyre mendojnë se çmimet e larta janë problem i madh. Në raport përmendet edhe ngritja e përqindjes së atyre qytetarëve që mendojnë se punësimi në institucione publike bëhet në mënyrë jomeritore."Që nga qershori i vitit 2011 deri në tetor të vitit 2012 përqindja e atyre që mendojnë se punësimi në institucione publike është i pamerituar është ngritur nga 67 në 82 për qind. Kemi një ngritje të madhe. Për të krijuar treguesin e bazave pa meritore janë përdorur indikatorëtose pyetjet si nëse qytetarët e Kosovës mendojnë se janë lidhjet familjare, korrupsioni ose ryshfeti, apo anëtarësimi në parti politike si dhe dukja e jashtme një prej mënyrës për të gjetur punë në sektorin publik. Shumica e qytetarëve mendojnë që këta faktorë janë më të rëndësishëm për të gjetur punë në sektorin publik", ka thënë ai.Kurse sa i përket pyetjeve se çka mendojnë qytetarët për punësimin e njerëzve në institucione publike në baza meritore, raporti nxjerr se vetëm 13 për qind e njerëzve mendojnë se për të gjetur punë në sektorin publik është i rëndësishëm edukimi, përvoja profesionale dhe trajnimet e ndryshme profesionale."Të dhënat tona tregojnë se përqindja e qytetarëve që mendojnë se ka prezencë të madhe të korrupsionit në institucione publike është rritur nëse e krahasojmë me prillin e vitit 2012. Për shembull, për KEK-un të dhënat e tetorit tregojnë se 54 për qind e qytetarëve mendojnë se ka prezencë të lartë të korrupsionit", ka thënë ai.Për dallim nga herët e tjera, në pyetësorin e anketës nuk është përfshirë çështja e veriut të Kosovës, dhe këtë Hetemi e arsyeton me atë se anketa ka pasur shumë pyetje dhe ato për veriun janë zëvendësuar me pyetje të tjera.Në këtë anketë janë përfshirë 1300 persona nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës.