Presidencialet, profili i kandidatit republikan Mitt Romney

Partia Republikane në SHBA përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t`u bërë Presidenti i 45-të amerikan,   Romney përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane.“Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë” ka theksuar Romney. Nëse zgjidhet,  Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.Romney bëri fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat.Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane si kandidat për zgjedhje. Por këtë radhë ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Newt Gingrich.Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të marten .  Në frontin e politikës së jashtme, Romney thotë se Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm. Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me presidentin Obama, Romney gjithashtu premtoi se nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit.Mbështetja për  Romey në sondazhe u ngrit pas debatit të parë dhe shumë analistë tani thonë se gara është e ngushtë dhe është vështirë të parashikohet fituesi. Disa analistë thonë se mënyra si e perceptojnë njerëzit Mitt Romney-n do të diktojë rezultatin e zgjedhjeve.Mitt Romney është 65 vjeç, i martuar që nga viti 1969 me Ann Romney-n me të cilën ka pesë djem.