Përpjekje të reja diplomatike për zgjidhjen e situatës në Siri
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar në Kajro me kreun e Ligës Arabe, Nabil Elaraby, dhe të dërguarin e Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe në Siri, Lakhdar Brahimi në përpjekje për të arritur në një zgjidhje për situatën e krijuar në Siri.Duke folur për krizën në Siri, Lavrov ka thënë se të gjitha palët duhet të bien dakort që të negociojnë në bazë të Deklaratës së Gjenevës, e cila është miratuar në qershor dhe bën thirrje për administratë të tranzicionit, por lë të paqartë se çfarë roli do të ketë presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad.“Mendoj se ka një përgjigje shumë të thjeshtë dhe ne kemi vendosur në Gjenevë se çfarë duhet bërë. Dhe, është detyrë e jona që të lëvizim përpara në bazë të asaj që është arritur në Gjenevë. Edhe lojtarët jashtë rajonit duhet të koordinohen në një drejtim. Rusia po e bën këtë. Po bën përpjekje të ekzekutojë atë që është arritur në Gjenevë. Por, me keqardhje të madhe them se vendet e tjera perëndimore dhe të rajonit, të cilat kanë marrë pjesë, janë duke folur vetëm me opozitën siriane dhe jo me qeverinë. Ato, jo vetëm që flasin me të, por edhe e nxisin të luftojë deri në fitore”, ka thënë Lavrov.Brahimi, megjithatë, ka thënë se Deklarata e Gjenevës duhet të jetë bazë për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të cilën Lavrov ka thënë se nuk është e nevojshme.Rusia është kritikuar në botën arabe për mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad.Revolta kundër këtij të fundit ka nisur në mars të vitit të kaluar. Aktivistët thonë se mbi 35,000 persona kanë humbur jetën në përleshjet ndërmjet kryengritësve rebelë dhe forcave qeveritare.