Monti: Afganistani të bashkëpunojë edhe pas 2014-ës
Kryeministri i Italisë, Mario Monti, ka takuar në Kabul presidentin afgan, Hamid Karzai. Italia e cila ka rreth 3,500 trupa në Afganistan, planifikon t’i tërheqë ato, së bashku me pjesën tjetër të ushtarëve të koalicionit që udhëheq NATO-ja, në fund të vitit 2014. Duke folur në konferencën e përbashkët për media me Karzain, Monti ka thënë se është e rëndësishme që marrëdhëniet ndërmjet Afganistanit dhe komunitetit ndërkombëtar të vazhdojnë edhe pas 2014-ës. “Është e rëndësishme që marrëdhëniet ndërmjet Afganistanit dhe bashkësisë ndërkombëtare të modifikohen me kushte të reja, por të mos ndalojnë”, ka theksuar Monti. Sipas tij, raportet e reja duhet të bazohen më shumë në bashkëpunimin ekonomik sesa në ndihmën ushtarake. Monti paraprakisht ka vizituar kontingjentin italian në provincën e Heratit. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, 52 ushtarë italianë kanë humbur jetën në luftën 11-vjeçare kundër kryengritësve talibanë në Afganistan.