Maqedoni, në dhjetor priten ndryshime në qeveri

Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI pritet që gjatë muajit të ardhshëm të bëjnë ndryshime brenda qeverisë.Lajmi bëhet i ditur brenda burimeve qeveritare për agjencinë e lajmeve INA, duke theksuar se kryeministri Nikolla Gruevski dhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tashmë janë dakorduar për ndryshime ministrore brenda kabinetit qeveritar.Ndryshimet do të vijnë pasi një pjesë e ministrave pritet të jenë kandidatura partiake për zgjedhjet lokale 2013. Në BDI përfolen dy emra të mundshëm që do të jenë kandidatë për zgjedhjet lokale. Zëvendëskryeministrja për evrointegrime  Teuta Arifi përmendetet si kandidaturë e mundshme për komunën e Tetovës, ndërsa ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti si kandidat për komunën e Sarajit të Shkupit.Nga ana tjetër, edhe VMRO-DPMNE planifikon që disa nga ministrat e saj të jenë të përfshirë si kandidatë për komuna. Ndër emrat më të lakuar është ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska, ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska.Gjatë ndryshimeve të pritura qeveritare, dy partitë e koalicionit do të bëjnë rrotacione të ministrive, ku BDI do të marrë drejtimin e dy ministrive të tjera, duke bërë shkëmbime me VMRO-DPMNE. Jozyrtarisht mësohet se BDI do të rikthehet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E përditshmja opozitare “Fokus” ka shkruar për ndryshime të tilla qeveritare, ndërsa ka përmendur se dy apo tre ministra aktual do të emërohen në poste  ambasadorësh.