Agjentët serb në veri të Kosovës, reagojnë institucionet
Dy javët e fundit kanë qenë më të tensionuara në veri të Kosovës për shkak të incidenteve të ndryshme që kanë ndodhur atje, por megjithatë nuk kanë ndikuar shumë në sigurinë e përgjithshme.Në takimin e Komitetit të sigurisë në Mitrovicë zyrtarë të komunës kanë reaguar ashpër kundër pranisë së njerëzve të uniformuar të organizatës të cilët të shtunën dhe të dielën janë parë në veri të qytetit.Nga strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë kërkohet që të ndërmarrin masa dhe të mos lejojnë një gjë të tillë që paraqet ndërhyrje të Serbisë në Kosovë.Numri një i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka thënë se strukturat e sigurisë, ato vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë shumë të vendosura dhe të mos lejojnë futjen e strukturave të tilla ilegale brenda territorit të Kosovës."Kjo është një ndërhyrje që nuk duhet të lejohet ", ka thënë Kastrati.Ndërkohë edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, ka theksuar se prania agjentëve serb ka shqetësuar të gjithë qytetarët në veri.Ai ka thënë se situata nuk është përkeqësuar për shkak të sjelljes së matur të qytetarëve shqiptarë, të cilët megjithatë kanë qenë shumë të tensionuar për shkak të këtij provokimi të hapur.