Bisedimet të kushtëzohen me kthimin e të pagjeturve
Qindra qytetarë i janë përgjigjur ftesës së Rrjetit të Grupit të Grave dhe Thirrjeve të Nënave për protestë, kundër bisedimeve të pakushtëzuara mes Kosovës dhe Serbisë. Nga protestuesit u kërkua, që mos të ketë negociata me Serbinë pa u realizuar disa kërkesa si; kërkim falja nga Serbia, kthimi i të pagjeturve, drejtësi për krimet dhe dhunimet gjatë luftës, si dhe kompensim për dëmet morale dhe ekonomike.Igballe Rogova, nga Rrjeti i Grupit të Grave, ka thënë se janë në dijeni se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë të sponsorizuara dhe të përkrahura nga ShBA-të dhe BE-ja, mirëpo ka kërkuar që këto bisedime të kushtëzohen dhe të merren parasysh kërkesat e tyre 14 vjeçare, për të cilat, sipas saj, asnjëherë nuk u interesuan as institucionet vendore, por as ato ndërkombëtare.“Para se të negociohet me Serbinë ne kërkojmë identifikimin dhe kthimin e të gjithë personave të pagjetur. Kërkojmë që publikisht të kërkohet falje nga Serbia për dhunën e të drejtave njerëzore të ushtruar kundër popullit të Kosovës gjatë viteve 90 e tutje, përfshirë edhe dhunimet gjatë luftës. Kompensim për kursimet jetësore dhe pronat tona të vjedhura dhe shkatërruara nga shteti serb dhe që udhëheqësit tanë politik dhe akterët ndërkombëtar të sigurojnë që të arrihen të drejtat tona për drejtësi për dhunën kudër të drejtave njerëzore që është ushtruar ndaj nesh”, ka thënë ajo.Takimi që shënoi nisjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë u mbajt më 19 tetor ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij serb, Ivica Daçiq dhe iniciatores së takimit- shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.Bisedimet pritet të vazhdojnë javën e ardhshme me takimin e dytë ndërmjet kryeministrave të të dyja shteteve. Që nga paslufta në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1700 persona.