Basha: Peshën për ndryshim dhe demokraci mund ta marrë vetëm PD-ja, këtë e di dhe Edi Rama
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar me takimet e tij në kuadër të garës së brendshme në selinë blu. Basha ka kërkuar mbështetjen nga demokratët e Peqinit dhe Paskuqanit për t’i besuar drejtimin e PD-së edhe në katër vitet e ardhshme.
Basha theksoi edhe një herë se 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë.
Basha: "E pra 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë. Në 25 prill shumica ka vendosur ndryshimin dhe një pakicë i është mbivendosur me mekanizmin më pervers, më gjigant, dhe më të kudo shtrirë, të shkrirjes se partisë me shtetin, siç e thotë raporti i OSBE-ODHIR, dhe të bashkëpunimit me kartelat e drogës dhe bandave të krimit të organizuar. Kjo nuk është demokraci. "
Zoti Basha në fjalën e tij tha se askush përveç Partisë Demokratike nuk mund ta marrë përsipër përgjegjësinë dhe këtë e di edhe kryeministri Rama.
Basha: "Kush tjetër mund ta marrë këtë peshë dhe këtë përgjegjësi për ndryshim dhe demokraci përveç Partisë Demokratike të Shqipërisë? Përgjigja është fare e qartë. E dini ju, e di unë, e dinë shqiptarët, e di dhe Edi Rama. "
Ditën e dielë, 13 qershor Parti Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet e brendshme për kryetarin e ri.
