Kërcënohet prokurori i Përmetit, i vendosin fishek në dritaren e zyrës

Prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami, është kërcënuar dy ditë më parë nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Ata i kanë vendosur një plumb në dritaren e zyrës së shtetit, mesa duket për ti dhënë një mesazh. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, duke sekuestruar edhe kamerat e sigurisë.

Një plumb në dritaren e zyrës. Ky ka qenë mesazhi i koduar kërcënues ndaj prokurorit të Përmetit Asllan Bajrami, i njohur si prokurori që udhëhoqi operacionin e njohur me emrin “Mezhgorani” .

Incidenti ka ndodhur dy ditë më parë ndërsa prokurori ka bërë kallëzim për kanosje duke u bërë shkak që policia të nisë hetimet për ngjarjen, me qëllim zbulimin e autorit.

Pas njoftimit për ngjarjen, hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së prokurorisë por edhe objekteve rreth asaj.

Krahas plumbit të vendosur në dritare prokurori ka raportuar se gjatë ditëve të fundit ka marrë edhe thirrje në celular nga një numër privat, për të cilat po ashtu po zhvillohen hetime.

Menjëherë pas kallëzimit prokurori Asllan Bajrami është marrë në mbrojtje nga Policia e Gjirokastrës ndërsa në dijeni për ngjarjen është vënë edhe Këshilli i Lartë i lartë i Prokurorisë i cili është ne pritje të kërkesës zyrtare nga prokurori për të mbledhur komisionin me qëllim vendosjen e mbrojtjes së posaçme për të dhe për familjen.

Gjatë këtij viti në KLP kanë kërkuar mbrojtje 5 prokurorë të cilët janë kërcënuar për shkak të detyrës. 

Prokurori ka depozituar kallëzim ndërsa policia ka nisur hetim për ngjarjen.