Kërcënimi i prokurorit të Përmetit, Meta: Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive

Prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami ditën e sotme, 11 qershor është kërcënuar në krye të detyrës.

Burime të sigurta bëjnë me dije se në dritaren e zyrës prokurori ka gjetur një fishek i cili mesa duket është vendosur në shenjë mesazhi.

Në lidhje me këtë ka reaguar Presidenti i vendit, Ilir Meta i cili shprehet se kjo është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme.

Zoti Meta shprehet se nevojitet një hetim i shpejtë dhe vendosja para ligjit e kujtdo që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t'i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar.

"Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllani Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme.

Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujtdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t'i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar.

Revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike," shkruan zoti Meta në reagimin e tij.