Shkarkimi i Presidentit, Beleshi: Për ironi kabineti Rama 3 do të betohet në shtator te Meta

Gazetarja Fjorela Beleshi e ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini foli për vendimin e Kuvendit për t'i përjashtuar gazetarët nga mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Gazetarja u shpreh se rregullorja është miratuar nga deputetë të cilët nuk do të jenë më në Kuvend në shtator.

"Më 2 qershor Byroja e Kuvendit vendosi që gazetarët në sezonin e ardhshëm të mos jenë të pranishëm në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare, por të jenë në katin -1, në bodrum. Ka pasur një reagim nga ana e Kuvendit, i cili për mua ishte më turpërues  se vetë rregullorja. Për fatin e gazetarëve kanë vendosur disa deputetë të cilët nuk do ta shikojnë më Parlamentin, pasi nuk do të jenë më pjesë. Ajo çfarë është më shqetësuese është se Kuvendi nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo rregullore. Kjo gjë privon gazetarët ët cilët duhet të ndjekin Parlamentin."

Gazetarja Beleshi tha se presin një reagim nga ndërkombëtarë, pasi nëse gazetarët lihen jashtë Kuvendit atëherë do të marrin vetëm informacionin që duan deputetët të japin. Kjo do të sillte një dezinformim të publikut.

"Nga ndërkombëtarët presim një reagim. Unë marr atë që do Kuvendi të më japë, atë që do deputeti dhe nuk mund të marr atë që dua unë. Ne e dimë si është politika shqiptare. Lajm mund të jetë edhe diçka që nuk del përpara kamerave, nëse ata nuk duan të dalin para kamerave kamerat nuk e kapin dhe unë nuk mund ta orkestroj regjinë e Kuvendit.  Nuk e kuptoj se cila është frika e tyre."

Në fjalën e saj gazetarja tha se shpresojnë që ky rregull të ndryshojë në shtator edhe me ardhjen e opozitës në Parlament.

"Ne kemi arritur të komunikojmë me eksponentë të PS-së dhe kanë thënë që ne do ta rregullojmë. Kjo mbetet për t'u parë, por shpresojmë që në shtator edhe me ardhjen e PD-së në Parlament të ndryshojë."

Përsa i përket shkarkimit të zotit Meta nga Parlamenti, gazetarja tha se nuk kishte surpriza në numra. Surprizë ishte zoti Majko i cili fillimisht ishte deklaruar kundër shkarkimit të zotit Meta, ndërsa ditën e sotëm kishte votuar pro.

"Tentativa e dytë ishte me sukses për PS-në. Unë jam e keqardhur që edhe sot në seancë plenare nuk ishte asnjë nga opozita.  Mund të jesh edhe pro shkarkimit të zotit Meta por duhet ta faktosh, jo thjesht ët duartrokasësh kryeministrin Rama dhe kryetarin e grupit parlamentar. Nuk kishte surpriza përsa i përket numrave. Surprizë ishte zoti Majko pasi deklaroi në fillim që nuk ishte dakord për nismën e kolegëve të tij, por u bind. Ne u habitëm edhe me zotin Rama se si mund të fliste më pak se 5 minuta, kur në dispozicionin e tij ishin 30 minuta dhe ne e dimë që ai zgjatet shumë në foltoren e Parlamentit. "

Parlamenti, nisur nga data e sotme, 9 qershor ka 5 ditë kohë për të njoftuar Gjykatën Kushtetuese, e cila do shqyrtojë çështjen brenda tre muajsh. Por, duke qenë se jemi përpara muajit gusht, shqyrtimi mund të shtyhet për shkak të pushimeve. Gazetarja Beleshi tha se sipas pritshmërive zoti Meta do të jetë në Presidencë në shtator dhe zoti Rama së bashku më kabinetin do të betohen pikërisht te Presidenti Meta.

"Parlamenti ka 5 ditë kohë për ta njoftuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata ka 3 muaj kohë për të vendosur nëse do ta kalojë në seancë plenare apo jo votimin e Parlamentit që me shumë mundësi do të kalojë. Për të shkarkuar Presidentin duhen 5 vota pro. Kam përshtypjen se zoti Meta do të jetë në Presidencë në shtator, kështu që zoti Rama së bashku me kabinetin e tij  për ironi do të shkojnë të betohen te zoti Meta."