Ruga “Loni Ligori “ në Astir tërësisht e amortizuar
Kjo është gjendja e rrugës "Loni Ligori" në zonën e Astirit.
Edhe pse jemi në Qershor, kanë mjaftuar vetëm dy ditë me reshje shiu që rruga të ketë këtë pamje.
"Ja shikoje, kërcejmë kështu edhe ne të moshuarit. Kërcejmë që mos bëhemi me baltë," thotë një i moshuar.
"Pluhur, gropa. Kur bie shiu, ja si bëhet në këtë gjendje," thotë një banor.
"Shumë problem është kjo rruga jonë, që nga fillimi, komplet deri sa del te rruga kryesore. Shumë problem dhe për makinat, shpresojmë që të bëjnë diçka," thotë banorja.
Rruga është tejet e amortizuar dhe banorët tregojnë se pavarësisht ankesave dhe kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje, askush nuk ka vënë dorë prej shumë vitesh.
"Është rruga shumë e keqe," thotë një fëmijë.
"Rruga është shumë e keqe dhe unë nuk kam ku të luaj këtu," thotë një vogëlushe tjetër.
Fëmijët janë ata të cilët hasin më vështirësi.
Rruga "Loni Ligori" në Astir nuk është shqetësimi i vetëm për banorët e zonës. Problem tjetër mbetet ndotja e ajrit dhe ndotja akustike për shkak të punimeve për ndërtimin e Unazës së madhe.
Problematike më shumë situata është për alergjikët.
"Ka probleme me alergjinë, edhe me pisllëkun po alergjia më shumë," thotë banori.
"Shkojmë nëpër doktorë, ndonjëherë vë dhe maskën për t'u mbrojtur nga pluhuri më shumë sesa nga pandemia," thotë banorja.
"Populli është i acaruar për momentin sepse ka shumë pluhur, ka shumë zhurmë, nuk e di si ta shpjegoj," thotë qytetarja.
Astiri është një ndër zonat më të populluara në Tiranë, ndaj banorët kërkojnë vëmendje të shtuar nga institucionet.
