"Recetë" për hetimin e krimit, kryetari i KLP në Elbasan: Prokurorët si kirurgët, shpëtojnë jetë

Elbasani është një prej qarqeve më të nxehta të kriminalitetit në Shqipëri dhe puna e prokurorisë cilësohet vendimtare jo vetëm për të çuar autorët para drejtësisë por edhe për të shpëtuar jetë. Kryetari i KLP-së pasi prezantoi Kreshnik Ajazin në krye të akuzës, u dha garanci për mbështetje dhe një recetë për të hetuar çdo formë të krimit.

Një vrasje për motive politike, 2 krime në familje dhe 1 atentat tipik mafioz, dhe disa ngjarja te tjera të rënda në 5 muajt e parë të vitit e konfirmuan Elbasanin si një prej vatrave të më të nxehta të krimit në vend.

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, tregoi teknikën që prokurorët duhet të ndjekin në luftën ndaj kriminalitetit.

"Puna e Prokurorisë, puna e sistemit të drejtësisë penale në përgjithësi i ngjan kirurgjisë dhe kirurgjia është padyshim e rëndësishme, esenciale për të shpëtuar jetë. E mira është që shoqëritë të mos vijnë deri në atë pikë ku krimi të jetë në rendin e ditës. Prokuroria në rolin e kirurgjisë duhet të bëjë të sajën," tha Ibrahimi.

Pasi prezantoi, Kreshnik Ajazin, për një mandat tre vjeçar në krye të organit të akuzës, kreu i KLP-së garantoi se do të kenë mbështetje për ti shkuar në fund çdo hetimi të pavarur.

"Garancia e tyre që garantimi i performancës të tyre do bëhet përkundrejt kritereve objektive dhe vërtet domethënëse dhe garancia që i japim si shoqëri prokurorëve, mbrojtja që i japim që ata të krijojnë luftën e tyre kundër krimit," tha ai.

Edhe për shkak të detyrës që mban u tregua i rezervuar në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.