Shkarkohet gjyqtari i Elbasanit, Tomorr Kullolli, nuk justifikonte 37 mln lekë pasuri

Pavarësisht disa tentativave për të zvarritur procesin e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjqytarin e Elbasanit, Tomorr Kullollin. Ai nuk mundi të bindë trupën gjykuese se ka pasur burime të ligjshme për pasuritë e tij, më konkretisht 3 apartamente si dhe para cash për shkollimin e fëmijëve të tij jashtë shtetit. Duke i kundërshtuar gjetjet e komisionit, Kullolli kërkoi riçelje të hetimit pasuror e cila nuk u mor në konsideratë nga komisioni.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Tomor Kullollin, pasi ai nuk arrin të justifikojë pasuritë e tij.

Gjatë seancës së zhvilluar disa ditë më parë, KPK evidentoi pamundësi financiare për të gjitha pronat.

Më konkretisht bëhej fjalë për 3 shtëpi, 2 në Elbasan dhe një në Tiranë.

Gjyqtari nuk arriti të bindë trupën e vettingut as për të ardhurat e tij për shkollimin e fëmijëve jashtë shtetit gjatë viteve 2015-2016, pavarësisht se ai shpjegoi se një prej tyre kishte përfituar bursë me vlerë 22 mijë euro.

Në total, sipas Komisionit, Kullolli nuk arriti të justifikojë një shumë prej 37 mln lekësh.

Duke i kundërshtuar të gjitha gjetjet, ai kërkoi rihapje të hetimit të pasurisë, por që nuk u pranua nga tre anëtarët e Komisionit.

Vendimi ndaj tij erdhi pas një sërë etapash, pasi Kullolli kërkoi dorëheqjen dhe më pas u tërhoq nga vendimi.

Po ashtu ai kërkoi dhe pension të parakohshëm, por për këtë të fundit ende nuk ka një vendim nga KLGJ.

Këtë të mërkurë para Komisionit doli dhe gjyqtarja e Shkodrës, Luveda Dardha.

Një apartament në Tiranë dhe një makinë, janë pasuritë të cilat kanë hasur probleme në këtë proces.

Për banesën me vlerë 80 mijë euro ajo deklaron burim një kredi 50 mijë euro, 28 mijë euro hua nga babai i saj dhe 2 mijë euro të ardhura nga bashkëshorti.

Sipas trupës së Komisionit, babai i saj rezulton t’i ketë dhënë 36 mijë euro, për të cilat nuk ka pasur burime të ligjshme, gjetje e cila është kundërshtuar nga gjyqtarja.

Sipas saj, prindërit i kanë punuar në emigracion si dhe kanë krijuar të ardhura nga aktiviteti i shitblerjes së fruta perimeve.

Po ashtu ajo ka shtuar se një pjesë e të ardhurave janë krijuar nga shitja e një banese në Fier.