Si e përjetojnë fëmijët divorcin? Psikologia ligjore: Prindërit egoistë, ka pasur edhe tentativa vetëvrasje
Fëmijët janë ata që e përjetojnë në mënyrën më të keqe divorcin e prindërve duke u përballur me pasoja të forta dhe çrregullime psikologjike. Psikologët thonë se për shkak të ndarjes së prindërve, fëmijët kanë tentuar edhe vetëvrasjen. Për këtë arsye specialistët theksojnë se në rastet e proceseve gjyqësore për ndarje, prindërit duhet të vendosin para së gjithash shëndetin e fëmijëve.
Procesi i divorcit është një periudhë e vështirë për bashkëshortët, por psikologët thonë se ata që e përjetojnë më keq këtë situatë janë fëmijët.
Psikologia ligjore, Redina Balla, thotë se ata shfaqin kryesisht probleme psikologjike, ndërsa shton se ka pasur edhe raste kur fëmijët mbi 11 vjeç kanë tentuar vetëvrasjen.
"Vijnë shumë fëmijë që lëndojnë veten me brisqe, me stilolapsa."
Divorcin e përjetojnë edhe grupmoshat më të vogla, të cilët rishfaqin sjellje si urinimi gjatë gjumit apo pagjumësia.
"Fëmijët 5-6 vjeç rifitojnë ndjesinë e urinimit në shtrat natën, mungesë dëshire për jetë sociale, për aktivitete sociale, çrregullime të gjumit, probleme me oreksin."
Në shumë raste në proceset e divorceve njëra palë sulmon tjetrën duke përdorur fëmijët, por psikologia thotë se ky është gabimi që nuk duhet të bëhet nga prindërit.
"Në raste të tilla me konfliktualitet të lartë bashkëshortët e përceptojnë divorcin si një lloj lufte, trofeu i të cilës janë fëmijët, kush do ta fitojë atë trofe? Nuk mendojnë në asnjë moment se çfarë pasojash po lë te ai fëmijë jo vetëm ky proces por edhe sjellja jote."
Megjithatë disa prindër, thotë Arjana Rreli, në kushtet e depresionit i drejtohen psikiatrit.
"Ndërkohë që agresiviteti i prindit rritet ndaj njëri-tjetrit, transmetohet tërthorazi edhe te fëmija. Nuk mungojnë edhe në kërkesën e tyre për të marrë ndihmë nga mjeku psikiatër pasi dëmtohet funksionimi."
Sipas INSTAT, nga viti 2015 në 2019 në mbarë vendin janë regjistruar 23 320 divorce.


