Peqin/ Vritet pronari i një rrjeti kabllor, inati i nisur 5 vite më parë për gërvishtjen e makinës
Një konflikt i vjetër mes dy burrave përfundoi me vrasje në Gjocaj të Peqinit.
Leonard Bashaliu, 36 vjeçar ekzekutoi me pistoletë bashkëfshatarin Ylber Xhahysa, 44 vjeç, pronar i një rrjeti kabllor në zonë.
Krimi u shënua brenda këtij lokali, ku të dy kishin hyrë për kafen e mëngjesit por u përfshinë në debate.
Leonard Bashaliu, ka nxjerrë pistoletën që kishte në brez dhe ka qëlluar 4 herë ndaj Ylber Xhahysës, i cili fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe më pas ndërroi jetë në spitalin e Peqinit.
Shenjat e konfliktit ishin të dukshme.
Pas krimit, 36 vjeçari është rikthyer në shtëpinë e tij ku u vu në pranga nga policia e cila i gjeti edhe pistoletën pa lejë.
Në dëshminë e parë, i tha grupit hetimor se konflikti me Ylber Xhahysën kishte nisur 5 vite më parë për gërvishtjen e makinës.
“U zumë kot, pasi para 5 vitesh me ka qëlluar me grusht. Sot filloi debate me fjalë dhe përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit."
Ngjarja futi edhe Peqinin në hartën e ngjarjeve kriminale ndërsa banorët e fshatit u shprehën të tronditur.
"Këtu në Shqipëri kështu po ndodhin ngjarjet përditë. Është bërë si program tani kjo punë, u vra këtu, u vra atje."
Ylber Xhahysa, është viktima i 35-të që nga janari deri mëngjesin e kësaj të marte, ku gjysma e krimeve kanë si shkak përplasjet mes grupeve kriminale por edhe të konflikteve të vogla që kanë prodhuar në fund tragjedi.
