''Mos më bëni “kokë turku”, gjyqtarja e TikTok-ut jep dorëheqjen: Kërkoj gjykim të drejtë

Gjyqtarja e Gjykatës se Elbasanit, Enkeleda Kapedani, për cilën Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar pezullimin nga detyra dhe më pas shkarkimin për shkak të videove të publikuara ne TikTok, ka paraqitur ne KLGJ dorëheqjen nga detyra e zv/kryetares.

Gjatë paraqitjes në KLGJ, Kapedani ka kërkuar që t'i dëgjohet zëri dhe të dalë në dritë e vërteta.

Gjyqtarja e Elbasanit ka deklaruar se ka bërë video që i përkasin jetës së saj personale, por kurrsesi me qëllim për t'i publikuar ato në rrjete sociale, duke shtuar se shumë prej gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ‘açount’ të tyre personale në rrjete ‘TikTok’, ‘Instagram’ e ‘Facebook’.

Duke iu drejtuar anëtarëve te KLGJ-së, Kapedani tha se pret prej tyre gjykim të paanshëm dhe profesional. 

''Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit te ndikojnë tek vendimi juaj, mos të sakrifikohem për qëllime të tjera,'' u shpreh ajo në fjalën e saj.

Ndërkohë Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar që gjyqtarja të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimit, pasi me sjelljet e saj diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.