“Koha për politike të përbashkët”, kryetari i Kuvendit të Kosovës takim me Ruçin, Metën dhe Bashën

Tirana zyrtare kërkon vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, me garancinë e partnerëve të SHBA dhe BE.

Në vizitën e parë zyrtarë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca u dha një mesazh të qartë zyrtarëve shqiptarë, duke u sjellë në vëmendje se ka ardhur koha që politika mes dy vendeve të jetë e një kombi të vetëm.

Ndërsa krye-parlamentari shqiptar pas takimit me homologun e tij  u shpreh se Kosova është në anën e duhur të historisë.

''Kosova është në anën e duhur të historisë, është Serbia ajo që ka kryer genocid dhe sot përpiqet të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe i ka fshehur, '' tha Ruçi.

''Ne deri tani e kemi një bashkëpunim vetëm të nivelit të fqinjëve të mirë, por unë mendoj që bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër që është bashkëpunimi mes dy vendeve të cilat konstituojnë të njëjtin komb,'' tha Konjufca.

Të njëjtin qëndrim Konjufca e ka përforcuar edhe pas takimit me kreun e PD, i cili solli sërish në vëmendje nevojën për një qëndrim të përbashkët për politikën e jashtme mes Tiranës dhe Prishtinës. Ndërsa për Lulzim Bashën më e rëndësishme është vijimi i procesit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën.

''Prioritet mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe përfundimi me sukses mes Kosovës dhe Serbisë,'' tha Basha.

''Me zëra të ndarë, të fragmentuar kemi përjetuar vetëm dëme, të dy shtetet tona. Kosova përballet me qëllimet e Serbisë të cilat r4ezultatin përfundimtar synojnë ta kenë destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një entiteti territorial serb brenda Kosovës dhe të kontrolluar nga Beogradi,'' tha Konjufca.

Gjatë takimit Konjufcën, presidenti Ilir meta i bëri thirrje BE që t’i liberalizojë vizat Prishtinës, pasi sipas tij është një domosdoshmëri për qytetarët e Kosovës dhe për rajonin.